PUSHTETI KUNDËRSHTON KËRKESËN E OPOZITËS PËR ULJEN E AKCIZËS DHE HEQJEN TVSH-së PËR NAFTËN

Anëtarë të kabinetit qeverisës i kanë kundërshtuar kërkesat e opozitës për uljen e akcizës dhe heqjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për naftën gjatë një debati parlamentar të premten, në një kohë kur çmimet e karburantit janë rritur bujshëm si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) paraqiti një rezolutë për këtë në Kuvend, përmes së cilës gjithashtu i kërkohet Qeverisë të gjejë mënyra për të subvencionuar çmimin e naftës për bujqësinë, transportin publik dhe prodhuesit vendorë.

Rezoluta – e cila po mbështetet edhe nga dy partitë e tjera opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – synon parandalimin e krizës ekonomike dhe sociale në vend si pasojë e çmimit të lartë të naftës.

Në tekstin e rezolutës kërkohet: ulja e akcizës nga 36 centë në litër në 20 centë në litër derisa të stabilizohen çmimet në bursat ndërkombëtare dhe ulja e përkohshme e TVSH-së në karburante nga 18 në 8 për qind deri në stabilizim të çmimeve. Në fillim të seancës morën pjesë anëtarët e kabinetit qeverisës dhe deputetët e LVV-së, por pas një pauze ata nuk u kthyen më në seancë plenare.

Kërkesa për këtë rezolutë vjen në një kohë kur rritja e madhe e çmimit të karburanteve në vend ka nxitur frikën për rritje zinxhir të çmimeve, sidomos atyre bazike. Vetëm brenda pak javësh, çmimi i një litri naftë në pikat e karburanteve në Kosovë ka arritur deri në 1.79 euro, krahasuar me 1.33 euro sa ishte më 3 mars, tri ditë pas nisjes së sulmeve nga SHBA-ja dhe Izraeli kundër Iranit.

Shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Jehohna Lushaku Sadriu, tha se rritja e vazhdueshme e çmimit të naftës “nuk është thjesht në lëvizje në treg, por është baza e një krize ekonomike me ndikim të drejtpërdrejtë në çdo familje dhe çdo biznes të Kosovës”. Ajo i ka kritikuar autoritetet se nuk kanë ndërhyrë për të bërë diçka për ketë, duke thënë “Qeveria nuk guxon të qëndrojë si spektatore dhe të përfitojë nga rritja e taksave në këto produkte”.

SHARE