GRUPI I SENATIT AMERIKAN PËR NATO-n: KONGRESI S’DO TË LEJOJË TËRHEQJEN E SHBA-së NGA ALEANCA

Bashkëkryesuesit e Grupit Vëzhgues të NATO-s në Senatin amerikan i janë kundërpërgjigjur kërcënimit të presidentit amerikan, Donald Trump, duke theksuar se Kongresi amerikan nuk do të lejojë tërheqjen e Uashingtonit nga aleanca ushtarake perëndimore.

Senatorja demokrate, Jeanne Shaheen, dhe ai republikan, Thom Tillis, thanë se NATO-ja është aleanca “më e fuqishme dhe më e suksesshme” në histori, duke argumentuar se promovon stabilitet ekonomik si dhe mbron raportet e rëndësishme tregtare.

Shaheen dhe Tillis thanë se aleatët e NATO-s gjithmonë janë ngritur në këmbë në kohë të kërcënimeve, duke theksuar se “qytetarët tanë e dinë se NATO-ja i bënë amerikanët më të sigurt”.

“Le të jemi të qartë, Kongresi nuk do të lejojë që Shtetet e Bashkuara të tërhiqen nga NATO-ja. Një projektligj dypartiak që ishte hartuar nga atëbotë senatori [tani sekretari amerikan i Shtetit, Marco] Rubio, që u shndërrua në ligj parandalon çdo president që në mënyrë të njëanshme të ndërmarrë një vendim të tillë. Në vend të kësaj, ligji qartësisht thotë se vetëm Kongresi mund ta autorizojë presidentin që ta tërheqë SHBA-në nga NATO-ja. Kjo nuk do të ndodhë. Kongresi dhe populli amerikan e dinë se ne jemi më të fortë kur qëndrojmë së bashku me aleatët”, thanë dy senatorët përmes një deklarate.

SHARE