SAMITI NË SHKUP NË MES TË PRILLIT

Samiti digjital i Ballkanit Perëndimor, i cili organizohet për arritjen e rezultateve konkrete në lidhje me platformën digjitale për shkëmbimin e ideve dhe propozimeve, do të fillojë më 18 prill në Shkup.

Takimi dy-ditor do të bashkojë krerët e qeverive të Ballkanit Perëndimor, ministrave përgjegjës për agjendën digjitale nga rajoni dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian që marrin pjesë në procesin e Berlinit, Komisionin Evropian, Këshillin për Bashkëpunim Rajonal, si dhe përfaqësuesit e industrisë së informacionit dhe kompanive të cilat merren me teknologjinë e informacionit,  bashkësinë akademike dhe të rinjtë.

“Qeveria në Shkup, është mikpritëse e samitit të cilin e organizon së bashku me Këshillin për Bashkëpunim Rajonal , në bashkëpunim  edhe me qeveritë e tjera të Ballkanit Perëndimor, Komisionin Evropian dhe me Ministrinë Federale të Gjermanisë të Çështjeve Ekonomike dhe Energjetike” , thuhet në kumtesë të RCC-së.

Në Samitin Dixhital të Ballkanit Perëndimor do të mbahet paneli i diskutimit mbi temën e lidhjes digjitale, integrimin e ekonomive të Ballkanit Perëndimor  si dhe tregut të unifikuar dixhital, përmirësimin e sigurisë kibernetike, përmirësimin e aftësive dixhitale, digjitalizimin e industrisë, si dhe diskutimet interaktive të qeverive, akademikëve, kompanive, novatorëve si dhe të organizatave rinore.

“EXPO Digital është një pjesë e rëndësishme e samitit dhe prezanton një mundësi unike për kompanitë nga industria dixhitale nga rajoni dhe më gjerë në të cilën do të prezantohen  produktet dhe shërbimet e tyre novatore, si dhe  do të krijohen mundësitë për takime dhe lidhje direkte me partnerët potencialë nga qeveria dhe sektorët e biznesit”, thuhet në kumtesë.

SHARE