Në kuadër të emisionit tonë, patëm kënaqësinë të ftonim Gentjana Juncaj, kryetaren e Shoqërisë Kulturore-Artistike “Rapsha”, e cila ndau me publikun mendime dhe vizione të vlefshme mbi rëndësinë e folklorit dhe rolin që ka shoqata në ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare.
Gjatë bisedës, znj. Juncaj theksoi se folklori nuk është thjesht art, por një pasuri e çmuar që përmbledh historinë, traditat, zakonet dhe shpirtin e një kombi. Ajo nënvizoi se këngët, vallet dhe veshjet tradicionale janë ura që lidhin brezat dhe ruajnë identitetin kombëtar në kohë.
Shoqëria Kulturore-Artistike “Rapsha”, nën drejtimin e saj, ka si mision kryesor edukimin e të rinjve me vlerat e kulturës popullore, promovimin e folklorit në aktivitete vendore dhe ndërkombëtare, si dhe përfshirjen aktive të komunitetit në ruajtjen e traditave. Ajo vuri në dukje se puna me fëmijët dhe të rinjtë është një investim i drejtpërdrejtë për të ardhmen e kulturës sonë.
Në emision u diskutuan gjithashtu edhe planet e ardhshme të shoqatës, të cilat përfshijnë organizimin e koncerteve folklorike, pjesëmarrjen në festivale kulturore, bashkëpunime me shoqata të tjera si dhe projekte që synojnë dokumentimin dhe promovimin e trashëgimisë shpirtërore shqiptare.
Ky publikim është mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Medias.
/ Fondi për nxitje të pluralizmit dhe shumëllojshmërisë të mediave /













