PZAP MIRATON ANEKSËN E LISTËS SERBE PËR VENDIMIN E KQZ-së

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka aprovuar ankesën e Listës Serbe lidhur me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos përfshirë listën e kandidatëve të këtij subjekti në shpalljen e rezultateve për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.

PZAP tha se vendimi i 31 janarit i KQZ-së është “i pajustifikuar” dhe në kundërshtim “me dispozitat ligjore”.

Sipas vendimit, PZAP tha se shpallja e rezultatit përfundimtar bëhet pas përfundimit të numërimit dhe rinumërimit për të gjitha subjektet politike dhe duhet t’i përfshijë të gjitha subjektet zgjedhore “pa përjashtim”.

“Çdo shpallje e pjesshme e rezultatit përfundimtar, në rrethana të tilla, nuk ka bazë ligjore dhe bie ndesh me parimet e barazisë së subjekteve zgjedhore, sigurisë juridike dhe transparencës së procesit zgjedhor. Andaj ky vendim është në kundërshtim me praktikat e mira zgjedhore dhe po ashtu ne kundërshtim me standardet e Komisionit te Venecias”, u tha në vendimin e PZAP-së të publikuar më 3 shkurt.

Për këtë vendim mund të dërgohet ankesë në Gjykatën Supreme brenda 48 orëve. Po ashtu, përveç vendimit për Listën Serbe, PZAP-i shqyrtoi edhe gjashtë ankesa të tjera, të cilat i refuzoi duke i cilësuar si të pabazuara.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, dorëzoi ankesë në PZAP më 2 shkurt, duke e vlerësuar vendimin si të “paligjshëm, antiserb dhe diskriminues”.

Kjo parti e vlerësoi vendimin e PZAP-së si “fitore të së drejtës, ligjit dhe parimeve demokratike”, si dhe tha se është një konfirmim i vullnetit zgjedhor të qytetarëve që i dhanë mbështetje këtij subjekti.

“Presim që institucionet kompetente të veprojnë në përputhje me vendimin e marrë dhe të mundësojnë zbatimin e tij të plotë dhe pa pengesa”, u tha në njoftim.

SHARE