MILLATOVIQ MERR PJESË NË MËNGJESIN KOMBËTAR TË LUTJES NË UASHINGTON

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, do të qëndrojë më 4 dhe 5 shkurt në Uashington, ku me ftesë të kongresmenëve amerikanë do të marrë pjesë në Mëngjesin e 74-t Kombëtar të Lutjes, një nga ngjarjet më të rëndësishme vjetore politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky aktivitet tradicional mbledh liderë politikë amerikanë dhe zyrtarë të lartë nga mbi 140 vende të botës dhe shërben si platformë për forcimin e marrëdhënieve politike dhe hapjen e kanaleve të bashkëpunimit ndërmjet shteteve.

Sipas njoftimit nga Kabineti i Presidentit, në përputhje me traditën e vendosur që nga viti 1953, në këtë ngjarje do të mbajë fjalim edhe presidenti aktual i SHBA-së, Donald Trump, çka dëshmon rëndësinë e veçantë të saj në kontekstin politik dhe ndërkombëtar amerikan.

Mëngjesi Kombëtar i Lutjes këtë vit mbahet në kuadër të shënimit të 250-vjetorit të nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-së, duke i dhënë ngjarjes një dimension shtesë simbolik.

Gjatë qëndrimit në Uashington, Millatoviq do të zhvillojë edhe një sërë takimesh bilaterale, me synim forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve partneritetit ndërmjet Malit të Zi dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe konfirmimin e Malit të Zi si aleat i besueshëm dhe partner i rëndësishëm ndërkombëtar.

SHARE