Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Korporata Ndërkombëtare Financiare IFC (Banka Botërore) i jep mbështetje të plotë Qeverisë së Malit të Zi që procesi i tenderit për aeroportet e Malit të Zi, i nisur para shtatë vitesh, të përmbyllet në interesin më të mirë të shtetit dhe të qytetarëve, njoftoi kryeministri Millojko Spajiq.
“Në takimin me drejtorin e përgjithshëm të IFC-së, Makhtar Diop, në Dubai, biseduam për projektet që Mali i Zi po i zbaton dhe po i planifikon, veçanërisht në fushën e infrastrukturës së transportit dhe tranzicionit të gjelbër, të cilat IFC-ja është e gatshme t’i mbështesë përmes instrumenteve të caktuara financiare, ekspertizës dhe asistencës teknike, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira”, tha Spajiq.
Siç u vlerësua gjatë takimit, procesi i tenderit, i cili pas një bllokade shumëvjeçare u rifillua nga Qeveria e 44-të, ishte transparent dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Kryeministri Spajiq e njohu udhëheqjen e IFC-së me projektet që Mali i Zi po i zbaton dhe planifikon në fushën e infrastrukturës së transportit, para së gjithash me vazhdimin e ndërtimit të segmenteve të mbetura të autostradës Tivar–Bolare, unazën rreth Budvës, si dhe modernizimin e hekurudhës.
“Infrastruktura e transportit dhe qasja janë parakusht për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik dhe lidhjen rajonale, dhe Mali i Zi aktualisht ka një sërë projektesh në këtë fushë. Po ashtu, janë në zhvillim disa iniciativa dhe projekte në fushën e tranzicionit të gjelbër, që synojnë rritjen e efikasitetit energjetik, zvogëlimin e ndikimit negativ në mjedis dhe përshpejtimin e kalimit drejt zgjidhjeve të qëndrueshme dhe inovative”, theksoi kryeministri.
IFC-ja shprehu gatishmërinë për të mbështetur Malin e Zi përmes instrumenteve financiare, asistencës teknike dhe ekspertizës, duke forcuar kështu partneritetin dhe duke hapur mundësi të reja për realizimin e projekteve zhvillimore në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira.
“Përparimi që Mali i Zi po arrin është inkurajues. Reformat po japin rezultate dhe mund të llogarisni në mbështetjen tonë edhe në të ardhmen”, porositi Diop kryeministrin Spajiq.
U shqyrtua gjithashtu mundësia e bashkëpunimit në kuadër të projekteve nga fusha të ndryshme, të planifikuara në kuadër të zbatimit të marrëveshjeve ndërqeveritare.









