Foto: S&D Group
Serbia duket se ka gjetur një ‘aleat’ edhe brenda Europës, e këtë herë për të blerë pajisje përgjuese të cilësisë e teknologjisë së lartë.
Bëhet fjalë për Zvicrën, ku një kompani vendase mësohet se ka furnizuar qeverinë serbe me pajisje për mbikëqyrje dhe përgjim, përfshirë një sistem gjeolokimi dhe kapëse IMSI, që mundësojnë ndjekjen e telefonave celularë.
Miratimi për këtë shitje është bërë që në vitin 2023 me një vlerë rreth 2.19 milion dollar, por Zvicra vijon të mbajë sekret emrin e kompanisë që ka ofruar pajisjet si dhe nuk bën të ditur nëse ato janë dorëzuar tek shërbimet sekrete serbe apo tek Ministria e Brendshme.
Nga ana tjetër Zvicra thekson nëpërmjet Ministrisë së Ekonomisë të Zvicrës, se në momentin e miratimit të shitjes, nuk kishte prova që sugjeronin se pajisjet do të përdoren për shtypje të opozitës ose për shkelje të të drejtave të njeriut.
Kjo ka ngjallur pikëpyetje pasi qeveria serbe akuzohet se po përdor teknologji për të spiunuar jo vetëm kundërshtarët politik por edhe gazetarët e aktivistët.
E përballë këtyere akuzave, situata bëhet edhe më e ndjeshme pasi prej muajsh Serbia zien nga protestat e shkaktuara nga shembja e stacionit të trenit që u mori jetën 15 personave dhe më pas do të sillte edhe dorëheqjen e kryeministrit Millosh Vuçeviç.