RAMA: NE DO TA REALIZOJMË PROJEKTIN “AUTO MOTO PARK ALBANIA”

Në Tiranë është organizuar eventi mbi Projektin “Auto Moto Park Albania”, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të Shqipërisë, ku janë prezantuar edhe projekt-idetë e kompanive ndërkombëtare të interesuara për zhvillimin e këtij projekti. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i pranishëm në aktivitetin e organizuar nën kujdesin e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor të Shqipërisë (DPSHTRR), e ka cilësuar këtë garë të kompanive si një event historik për automotorizmin shqiptar, por edhe për Shqipërinë. Rama theksoi ky projekt i hap rrugë edhe një tjetër fronti të punësimit cilësor të të rinjve, sipas tij, vende pune të mirë-paguara dhe mundësi të reja dhe horizonte të reja për gjeneratën e re. Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, Belinda Balluku, theksoi se në “Auto Moto Park Albania” do të ketë edhe pjesë të cilat do t’i shërbejnë edukimit për sigurinë rrugore. Drejtor i Përgjithshëm i DPSHTRR-së, Blendi Gonxhja u shpreh se “Auto Moto Park Albania” nuk mund të konsiderohet vetëm si një pistë ku do të zhvillohen gara shpejtësie, por sipas tij edhe si një gjenerator ekonomik e si një motor i fuqishëm për turizmin, punësimin dhe tregun automotiv. Gjatë konkursit të sotëm si pjesë e eventit, studiot ndërkombëtare të projektimit të strukturave të tilla, autorë të pistave të Formula 1 në botë, kanë prezantuar projekt-idetë e tyre, ku në përmbyllje do të shpallet projekti fitues për “Auto Moto Park Albania”. Projekti synon krijimin e kompleksit të parë multifunksional për zhvillimin e sektorëve të ndryshëm të motorizimit.

SHARE