BE-ja: KOSOVA TA FORMOJË ASOCIACIONIN

Bashkimi Evropian ka përsëritur kërkesën e tij që Kosova ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. I pyetur nga Radio Evropa e Lirë për kushtet e vendosura nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për themelimin e Asociacionit, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se blloku nuk i komenton “të gjitha prononcimet e të tjerëve”. Ai tha se përsërit “urgjencën që për BE-në ka lëvizja përpara e dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura, një prej të cilave është edhe ajo për Asociacionin”. Kurti, i cili deri më tani ka kundërshtuar fuqishëm krijimin e Asociacionit njëetnik, të enjten shpalosi para deputetëve të Kuvendit të Kosovës gjashtë kushtet për formimin e tij. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka cilësuar “përrallë” kushtet për Asociacionin. Në një seancë të Kuvendit të Serbisë, gjatë diskutimeve për Kosovën, Vuçiq ka thënë se Kurti në fakt “nuk do të formojë Asociacionin”. BE-ja e ka thënë disa herë se marrëveshja e cila parasheh formimin e Asociacionit është obligim ndërkombëtarë i Kosovës dhe se ajo duhet të implementohet. Edhe SHBA-ja e ka vlerësuar si prioritet kryesor formimin e Asociacionit dhe për këtë çështje ka organizuar edhe një diskutim më 31 janar.

SHARE