Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ekipi punues për koordinimin e aktiviteteve në kuadër të Procesit të Berlinit mbajti një takim ku filluan përgatitjet për një nga angazhimet më të rëndësishme të politikës së jashtme të Malit të Zi në vitin 2026 – kryesimin e Procesit të Berlinit.
Kjo do të jetë hera e parë që Mali i Zi merr drejtimin e këtij formati të rëndësishëm rajonal dhe evropian.
Procesi i Berlinit mbledh vendet e Ballkanit Perëndimor, nëntë shtete anëtare të BE-së dhe Mbretërinë e Bashkuar, duke ndikuar prej më shumë se një dekade në rrjedhat politike, ekonomike dhe të sigurisë në rajon, me mbështetjen e fortë të organizatave rajonale dhe veçanërisht të Gjermanisë si iniciatore.
Sipas Qeverisë, kryesimi i Malit të Zi do të përfaqësojë një moment të rëndësishëm si për shtetin, ashtu edhe për mbarë rajonin, veçanërisht në kontekstin e zgjerimit të BE-së, sfidave të sigurisë dhe nevojës për bashkëpunim më të thellë rajonal.
Procesi do të udhëhiqet politikisht nga Kabineti i Kryeministrit, me mbështetjen e zëvendëskryeministrit për çështje evropiane dhe të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Në takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve të ndryshme shtetërore që janë pjesë e ekipit të përhershëm për koordinimin e këtij procesi.
Gjatë takimit u diskutuan temat prioritare të kryesimit, kalendari i ngjarjeve, mënyrat e bashkëpunimit me partnerët evropianë dhe rajonalë, si dhe nevoja për krijimin e një ekipi të fuqishëm operativ dhe mediatik.
Qeveria kujton se viti 2026 do të jetë veçanërisht dinamik për Malin e Zi, pasi vendi do të presë edhe një sërë ngjarjesh të tjera ndërkombëtare, përfshirë Samitin BE – Ballkani Perëndimor, kryesimin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës dhe aktivitetet e Fondit për Ballkanin Perëndimor.
Kjo pritet ta pozicionojë Malin e Zi si një lider të qëndrueshëm rajonal dhe partner të besueshëm të Bashkimit Evropian, duke dëshmuar pjekuri diplomatike dhe angazhim për integrimin evropian të rajonit.








