Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, deklaroi në konferencën rajonale “Analiza dhe strategjia për Ballkanin Perëndimor – WB3C” se siguria digjitale nuk është luks, por një parakusht themelor i sovranitetit të një shteti modern.
Ai theksoi se sulmet kibernetike, sidomos ato të tipit ransomware, janë bërë një nga rreziqet kryesore globale dhe kërkojnë qasje strategjike, e jo vetëm teknike.
Dukaj kujtoi se Mali i Zi para tre vitesh u përball me një nga sulmet kibernetike më serioze në historinë e tij, i cili u bë pikë kthese në ngritjen e një sistemi më të fortë të mbrojtjes digjitale.
Që prej atëherë, sipas tij, janë bërë përparime të rëndësishme në kuadrin ligjor, në pajisjet teknike dhe në trajnimin e stafit.
Ai njoftoi se shumë shpejt do të formohet Agjencia për Siguri Kibernetike, e cila do të jetë institucioni qendror përgjegjës për mbrojtjen e infrastrukturës kritike, vendosjen e standardeve dhe mbikëqyrjen e sistemit.
Kjo agjenci pritet të jetë shtylla kryesore e rezistencës digjitale të Malit të Zi.
Dukaj vlerësoi mbështetjen e BE-së dhe NATO-s në ndërtimin e kapaciteteve të reja dhe theksoi rëndësinë e investimit të vazhdueshëm në njerëz, dije dhe kulturë digjitale, pasi shumë sulme nisin nga veprime të thjeshta si një klikim i gabuar.
Ai u shpreh se inteligjenca artificiale sjell mundësi të mëdha kur përdoret në mënyrë të përgjegjshme dhe strategjike, ndërsa Mali i Zi mbetet partner i besueshëm i rajonit, BE-së dhe NATO-s në forcimin e sigurisë kibernetike.
“Detyra jonë është të jemi më të shpejtë, më të përgatitur dhe më të qëndrueshëm se kërcënimet që vijnë”, theksoi Dukaj.








