SPIROPALI: KËSHILLI I EVROPËS VIJON TË KONTRIBUOJË NË PROMOVIMIN E DEMOKRACISË NË SHQIPËRI

Foto: Olsi Shehu / AA

Komisioni i Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka zhvilluar një takim në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, me pjesëmarrjen e zyrtarëve dhe deputetëve, raporton Anadolu.

Në hapje të aktivitetit mbajti një fjalë përshëndetëse kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e cila theksoi se falë reformave që ka ndërmarrë Shqipëria nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama, vendi ka treguar një përparim të qëndrueshëm.

“Këshilli i Evropës vijon të kontribuojë në promovimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në Shqipëri dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Sot Shqipëria po ecën me ritmet më të shpejta se të gjitha vendet e rajonit drejt integrimit evropian dhe ne kemi përcaktuar si prioritet strategjik kombëtar anëtarësimin në Bashkimin Evropian brenda vitit 2030. Shqipëria është e vendosur në destinacionin e saj dhe ka vetëm një plan A për të ardhmen e vet: anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, tha Spiropali.

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin në Qeverinë e Shqipërisë, Taulant Balla, u shpreh se Shqipëria ka shënuar progres të vazhdueshëm.

“Jemi mikpritës të një takimi kaq të rëndësishëm. Kemi përparuar shumë këto vite. Kemi përgjegjësi dhe përpiqemi të konsolidojmë institucionet tonat demokratike. Këshilli i Evropës na ka udhëhequr dhe na ka mbështetur në përpjekjet tona kundër korrupsionit dhe sistemin e drejtësisë”, u shpreh Balla.

Kryetarja e Delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Blerina Gjylameti, u shpreh se është shumë i rëndësishëm vendimi për të kaluar Shqipërinë në fazën post monitorim.

Në nisje të aktivitetit përshëndeti edhe zëvendëskryetari i Komisionit të Monitorimit të APKiE-së, Mogens Jensen.

Komiteti i Monitorimit është përgjegjës për verifikimin e përmbushjes së detyrimeve të marra nga shtetet anëtare sipas kushteve të Statutit të Këshillit të Evropës dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

SHARE