FORUMI “eTRANSPORT”, VELIAJ: DY MEGATERMINALE, LINJË E HEKURUDHORE ELEKTRIKE

Transporti publik në kryeqytet prit të jetë një model në të ardhmen. Ky është synimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili gjatë forumit “eTransport” u ndal tek risitë dhe investimet në këtë fushë. “Duke filluar nga viti tjetër, për të gjithë transportin interurban të juglindjes do të përdoret Terminali Lindor. Ndërkohë, sapo kemi fituar gjyqin e 27-të dhe më në fund do të hapet kantieri te Kthesa e Kamzës, kantieri historik për terminalin e perëndimit, të jugut dhe të veriut. Besoj se ai megaterminal aty, bashkë me shërbimet, duke qenë se është dhe pranë një nyjeje të komunikimit, do na zgjidhë njëherë e mirë çështjet e transportit interurban që futet brenda në Tiranë”. Kryebashkiaku tha se ka filluar traseja e stacionit të trenit, e cila do të lidhë terminalin perëndimor me Stacionin e Trenit. Bëhet fjalë për një lidhje të terminalit perëndimor me Stacionin e Trenit, ku linja hekurudhore do të vazhdojë elektrike, apo siç quhet ndryshe “light rail”, pra hekurudha e lehtë, deri ku ka qenë ish-Stacioni i Trenit, tek fillimi i Bulevardit të Ri. Kryeqyteti zë peshën më të madhe të turistëve dhe lëvizjeve në transportin publik. Gjatë forumit, Veliaj vuri në dukje se paralelisht me modernizimin e këtyre shërbimeve, bashkia ka ecur edhe me subvencionimin, si të qytetarëve, ashtu edhe të operatorëve të transportit urban në kryeqytet që, tashmë me futjen e sistemit GPS, bëhet edhe më e lehtë.

SHARE