SPAJIQ PRITI NË TAKIM PËRFAQËSUESIT E KËSHILLAVE KOMBËTARË TË POPUJVE PAKICË

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika, së bashku me kryetarët e Këshillave tjerë të pakicave kombëtare, realizoi dje një takim me kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiq dhe bashkëpunëtorët e tij, ku u bisedua rreth çështjes së regjistrimit të popullsisë në Mal të Zi.

Qëllimi i takimit ishte që një proces kaq i rëndësishëm në Malin e Zi duhet të zhvillohet në kushte  stabile politike, të jetë sa më gjithpërfshirës, transparent dhe i besueshëm nga të gjithë faktorët pjesëmarrës në proces dhe sipas standardëve ndërkombëtarë.

Po ashtu kryetari i Këshillit, Faik Nika, i parashtroi kryeministrit Spajiq, kërkesën për të egzistuar mundësia që Qeveria të punoj një platformë elektronike për regjistrimin e qytetarëve tanë të cilët përkohësisht janë me punë jashtë Malit të Zi, e që pothuajse të gjithë kanë shtëpitë dhe pronat e tyre këtu, duke marrë shembull modelet e shteteve të ndryshme të Bashkimit Europian apo shtetet e rajonit të cilët e kanë të përfshirë këtë pjesë të popullatës në proces.

Kryeministri Spajiq tha se Qeveria në mbledhjen e parë konstituive ka vendosur që procesi i regjistrimit të popullsisë të shtyhet për 1 muaj e që do të filloj nga data 31 nëntor 2023 dhe deklaroj që është i hapur për përfshirjen e të gjithë faktorëve të interesuar, në mënyrë që ky proces të jetë sa më i besueshëm dhe sa më transparent nga të gjitha palët.

„Në këtë proces kaq të rëndësishëm ne si Shqiptarë duhet të jemi të gatshëm që të marrim pjesë të gjithë, si ne që jemi këtu si dhe bashkatdhetarët tanë që përkohësisht janë në diasporë të vijnë të regjistrohen, dhe me vëmendje të veçantë të deklarojmë përkatësinë kombëtare Shqiptare dhe Gjuhën Shqipe si gjuhë amtare,“ thuhet në deklaratën e KKSH-së.

SHARE