Si mund të ndihmojnë probiotikët në shërimin e depresionit?

Studimi është bërë në 47 të intervistuar me episode depresive

Shkencëtarët e dinë që përzierja e baktereve në zorrë mund të ketë një rol të rëndësishëm në shëndetin tonë mendor.

Pjesëmarrësit në hulumtim të cilët bashkë me antidepresivët kanë marrë suplemente probiotike, kanë shënuar përmirësim të simptomave të depresionit në krahasim me ata të cilët kanë marrë placebo gjatë periudhës prej 31 ditësh.

Hulumtuesit gjithashtu kanë vërejtur ndryshime në florën e zorrëve të shkaktuar nga probiotikët te ata të cilët i kanë marrë – shtimi i baktereve të cilat prodhojnë thartirë qumështi, shkruan “Science alert”, transmeton Telegrafi.

Mirëpo, hulumtimi i bërë pas katër javësh ka treguar që nivelet e këtyre baktereve sërish janë ulur me kalimin e kohës.

Psikiatrja Ana-Kjara Shaub e Universitetit në Bazel shpjegon që mbase periudha prej katër javësh megjithatë nuk është e mjaftueshme dhe që me siguri duhet kohë më e gjatë në mënyrë që ndryshimet në florën e zorrëve të japin rezultate.

Lidhja midis zorrëve dhe shëndetit mendor

Hulumtimi merret me diçka që shkencëtarët tashmë e dinë, domethënë që zorrët dhe përzierja e baktereve në to mund të luajnë një rol të rëndësishëm në shëndetin tonë mendor.

Ekipi shqyrtoi gjithashtu një lidhje tjetër të hulumtuar më parë, midis depresionit dhe mënyrës se si ne përpunojmë emocionet që hasim te njerëzit e tjerë.

Tek njerëzit me depresion, zona të caktuara të trurit i përpunojnë emocionet ndryshe, gjë që shpesh matet duke vëzhguar përgjigjet ndaj shprehjeve të fytyrës. Ky studim mori të njëjtën qasje, studiuesit përdorën skanime fMRI për të parë se si pjesëmarrësit do të reagonin ndaj fytyrave neutrale ose të frikshme.

Doli se probiotikët ndikuan edhe në këtë segment, përkatësisht në ata pjesëmarrës që morën “baktere të mira”, proceset “e gabuar” të trurit u normalizuan. Megjithëse arsyet pse ndodh kjo nuk janë kuptuar plotësisht, shenjat fillestare tregojnë për një efekt pozitiv jo në një, por në disa aspekte të depresionit.

“Megjithëse boshti mikrobiom-zorrë-tru ka qenë objekt i hulumtimit për disa vite, mekanizmat e saktë ende nuk janë sqaruar plotësisht,” thotë Dr. Schaub.

Përfitimet shëndetësore të probiotikëve vështirë se janë të qarta, dhe kërkimet e ardhshme do të
sqarojnë nëse ato mund të bëjnë më shumë dëm sesa mirë. Megjithatë, bazuar në këtë mostër të vogël, ata duket se kanë të paktën një potencial kur bëhet fjalë për trajtimin e njerëzve me depresion.

Ekipi që qëndron pas këtij studimi thekson se probiotikët nuk do të funksiononin si trajtim më vete pa ilaçet kundër depresionit dhe do të nevojiten më shumë kërkime për të parë efektet e llojeve specifike të baktereve të gjalla në një numër shumë më të madh njerëzish.

Aktualisht, rreth dy të tretat e antidepresantëve të përshkruar nuk tregojnë një përgjigje të konsiderueshme afatgjatë ndaj tyre. Është e mundur që në kërkimin e trajtimeve më të përshtatura dhe efektive, probiotikët mund të kenë një funksion të rëndësishëm që ne nuk e kemi zbuluar ende.

“Me njohuri shtesë rreth efektit specifik të baktereve të caktuara, mund të jetë e mundur të optimizohet përzgjedhja e baktereve dhe të përdoret përzierja më e mirë për të mbështetur trajtimin e depresionit,” thotë Dr. Schuab.

Hulumtimi është publikuar në Translational Psychiatry. /Telegrafi/

SHARE