RAMA: NUK KA RRITJE RROGE ME GREVË URIE

Ultimatumit të pedagogëve Kryeministri Edi Rama iu përgjigj se rritja më e madhe e pagave në këtë kohë krize iu është bërë pikërisht atyre. Kreu i qeverisë la të kuptohet se kërkesa e tyre për rritje të rrogave me 50% është e pamundur. “Nuk iu është rritur rroga 15% mësueseve që janë këtu bashkë me këta fëmijë edhe pse kanë një punë shumë më të vështirë se shumë ndër ata të cilët mbajnë emrin e pedagogut”. Për kryeministrin Rama, Sindikata e Universiteteve i merr urdhrat nga opozita. “Grevë urie për rroga nuk bëjnë prindërit e këtyre të cilët me siguri shumica dërmuese i kanë të ardhurat më pak sesa SHIK-si që urdhrat i merr nga foltorja e baltës, por nuk bëjnë grevë urie.” Deklarata u bënë gjatë inaugurimit të shkollës “Klodian Tanushi” në Tiranë, ku edhe Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj u bëri thirrje pedagogëve të kthehen në auditorë. “Kush është prind që e pati fëmijën një vit pa mësim prej tërmetit dhe një vit tjetër prej pandemisë, për faj të SHIK-save do rrijë edhe një vit pa shkollë.” Qeveria nga 1 tetori rriti pagat e pedagogëve me 15%, ku 7% mbulohet nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër nga vetë universitetet. Deri tani janë 5 universitete që kanë miratuar rritje të pagave me fondet e tyre, Mjekësia, Sportet, Politekniku, Universiteti i Tiranës dhe ai Bujqësor.

SHARE