Asnjë nga 20 kompjuterët në Ministrinë e Sportit dhe Rinisë nuk ka funksionuar dje, njoftoi ministri Vasilije Llallosheviq në seancën e Qeverisë. Kurse Bilana Shqepanoviq, Ministrja e Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik, tha se kompjuterët në ministrinë e tyre nuk funksionojnë, as emailet zyrtare, madje nuk mund të hyjnë në faqen zyrtare. Llallosheviq kërkoi krijimin e një grupi ad hoc i cili do të përgjigjet në mënyrë proaktive, pasi afatet për dorëzimin e të dhënave zyrtare po vonohen. Ai bëri të ditur se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka kërkuar informacion se pse nuk janë postuar kartelat analitike dhe se për shkak të rrethanave teknike objektive nuk kanë mundur t’i përgjigjen asaj kërkese.
Sekretari shtetëror në Ministrinë e Administratës Publike, Agron Camaj, tha në seancë se i gjithë sistemi do të jetë në funksion nga java e ardhshme. Ai paralajmëroi edhe themelimin e Drejtorisë për Siguri Informative si dhe Ligjin e ri për Sigurinë e Informacionit, i cili, siç thekson Camaj, do ta bëjë sistemin informativ më të mbrojtur dhe të avancuar. Camaj tha se gjatë sulmit kibernetik, i cili filloi në serverin e qeverisë në gusht, janë koduar 17 sisteme informacioni në dhjetë institucione. Ai tha se nga 2.471 kompjuterë që duhen riinstaluar, instalimi është përfunduar në 1059 prej tyre, ndërsa 909 janë përfshirë në domen. Ai tha gjithashtu se një numër i caktuar i institucioneve shtetërore, mes tyre Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave, nuk kanë arritur t’i riinstalojnë kompjuterët për shkak të obligimeve të tyre lidhur me zgjedhjet.