Foto: Ilustrim
Ministria e Punëve të Brendshme e Malit të Zi njofton qytetarët se të shtunën, më 4 tetor 2025, disa njësi rajonale dhe filiale do të jenë të hapura nga ora 08:00 deri në 14:00, me qëllim për të mundësuar zëvendësimin e kartës së identitetit.
Njësitë që do të jenë në funksion janë në qytetet: Podgoricë, Tivar, Budva, Beranë, Bijello Pole, Herceg Novi, Nikshiq, Plevle dhe Kotorr.
Ky vendim është marrë mbi bazën e analizës së numrit të kartës së identitetit që ende nuk janë zëvendësuar. Deri më 2 tetor, në territorin e Malit të Zi janë zëvendësuar 498.816 karta identiteti, ndërsa 69.978 dokumente mbeten ende të pashkëmbura.
Ministria kujton se që nga 30 marsi 2020, ka nisur lëshimi i kartës së identitetit të gjeneratës së tretë, në përputhje me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për kartë identitetit.
Me ndryshimet e fundit të miratuara nga Kuvendi i Malit të Zi në mars të vitit 2025, afati për zëvendësimin e dokumenteve u shty deri më 30 shtator, në vend të afatit të mëparshëm që përfundonte më 30 mars.
Në njoftimin e saj, Ministria thekson se edhe pse ligji parashikon gjoba monetare për moszëvendësim të dokumenteve (neni 29 dhe 30), qasja represive nuk është fokusi i punës së Ministrisë, por përkundrazi, ofrimi i shërbimeve në të mirë të qytetarëve.
Gjithashtu, Ministria konfirmon se do të vazhdojë të pranojë aplikime edhe në periudhën në vijim dhe do t’i përpunojë ato në kohën më të shkurtër të mundshme, ashtu siç ka vepruar deri më tani.
Për qytetarët që nuk kanë mundësi të paraqiten fizikisht në sportele, Ministria ofron shërbime përmes njësive mobile, të cilat dalin në adresën e banimit, veçanërisht për personat e palëvizshëm ose të sëmurë rëndë, duke u mundësuar edhe atyre të pajisen me dokumente identifikimi në kohë.