Në ambientet e shkollës fillore “Mahmut Lekiq” në Tuz, u zhvillua sot një ceremoni e veçantë për dhurimin e abetareve në gjuhën shqipe për nxënësit e klasës së dytë.
Ky aktivitet u organizua nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit e Malit të Zi, me pjesëmarrjen e Ministres Angjella Jakshiq-Stojanoviq, në bashkëpunim me Ambasadoren e Shqipërisë në Mal të Zi, Zhaklina Peto.
Në këtë ngjarje morën pjesë edhe personalitete të njohura të komunitetit shqiptar në Mal të Zi, si Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Faik Nika, si dhe Emina Çunmulaj, themeluese e fondacionit Emina’s Hands, e njohur për kontributin e saj në fusha të ndryshme humanitare dhe arsimore.
Përfaqësuesit u pritën nga drejtori i shkollës, Luigj Dedvukaj, i cili shprehu mirënjohjen e tij ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Ambasadës së Shqipërisë për këtë nismë të rëndësishme.
Ai vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme për arsimin në gjuhën shqipe në komunën e Tuzit dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit institucional në fushën e edukimit.
“Ky gjest simbolik ka një domethënie të madhe për nxënësit tanë dhe për komunitetin shqiptar në tërësi. Ruajtja dhe zhvillimi i gjuhës shqipe mbetet një ndër prioritetet tona,” u shpreh ndër të tjera drejtori Dedvukaj.
Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm në përpjekjet për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, veçanërisht në fushën e arsimit dhe kulturës.