KRYEMINISTRI RAMA: DO TË JEMI NJË VLERË SHUMË E MADHE E SHTUAR PËR BE-në

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke iu referuar procesit të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian (BE) ka deklaruar se do të jenë një vlerë shumë e madhe e shtuar për BE-në, raporton Anadolu.

Kryeministri Rama ndodhet në Danimarkë ku po merr pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, një platformë për dialog dhe bashkëpunim mes vendeve të kontinentit.

Në mbërritje, Rama u prit nga kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, ndërkohë më pas iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.

Duke folur për procesin e integrimit evropian, Rama tha se po vrapojnë, duke shtuar se: “Po vrapojmë shumë shpejt. Ne do të jemi gati shumë shpejt dhe ju takon të mëdhenjve në sallë të mos presin më, por të na përqafojnë dhe të na mirëpresin, sepse do të jemi një vlerë shumë e madhe e shtuar për BE”.

Pyetjes nëse ka ndonjë mësim që BE-ja mund ta mësojë nga Shqipëria, Rama iu përgjigj: “Shumë. Shumë mësime. Për të vepruar si një e tërë dhe për të arritur një konvergjencë të gjithçkaje që ka të bëjë më sigurinë”.

“Kjo është gjëja më e mirë që ka ndodhur pas BE vetë, është e ardhmja e Evropës. Sa më shumë të ecim në këtë drejtim, aq më mirë do të jetë, sepse ndërkohë të tjerët po shfaqen mjaft të fuqishëm dhe e gjithë Evropa në tërësi, është një masë e madhe sa i takon njerëzve, ekonomisë dhe duket shumë e dobët pikërisht sepse nuk është e gjitha bashkë”, tha Rama, duke folur për Komunitetin Politik Evropian.

Rama u shpreh se një ndër sfidat më të mëdha të sigurisë në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor është fakti që sipas tij Evropa nuk ka planin e vet të paqes.

“Kemi qenë objekt sulmi kibernetik, por sot kemi një nga mbrojtjet më të forta kibernetike në Evropë. Ne vazhdojmë të jemi objekt i këtyre sulmeve kibernetike të Iranit dhe jemi tërë kohën duke luftuar që të mos lejojmë shkelje të sigurisë sonë”, tha ndër të tjera Rama.

I pyetur për procesin e paqes midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, Rama tha se, “Mendoj që është diçka fantastike sepse ka qenë në pritje për një kohë të konsiderueshme. Ndodhi dhe nën drejtimin e SHBA dhe nxitjes së fundit nga presidenti i SHBA-së, sepse duhet t’ia japim meritën për këtë dhe kaq”.

Rama foli edhe për ministren e parë virtuale në kabinetin qeveritar të Shqipërisë, Diella, duke theksuar se po ndihmon Shqipërinë në rrugën drejt BE-së, për transformimin e legjislacionit të BE-së në legjislacionin shqiptar.

SHARE