Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Marrëdhëniet dypalëshe të shkëlqyera ndërmjet Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut mund të shërbejnë si shembull për të gjithë rajonin. Hapësira për thellim të bashkëpunimit ekziston në fusha si reforma e administratës publike, transformimi digjital dhe siguria e informacionit, përmes shkëmbimit të përvojave, ideve dhe informacionit.
Këto mesazhe u theksuan gjatë vizitës zyrtare të ministrit të Administratës Publike të Malit të Zi, Marash Dukaj, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ku u takua me zëvendëskryeministrin Arben Fetai.
Ministri Dukaj vlerësoi këtë takim si një hap të rëndësishëm drejt ndarjes së praktikave të mira në menaxhimin e burimeve publike.
“Me bashkëpunimin tonë mund të kontribuojmë në modernizimin e shërbimeve publike, gjë që do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve në të dyja vendet. Integrimi më i shpejtë në Bashkimin Evropian është objektiv i përbashkët, dhe unë do të jap kontributin maksimal brenda kompetencave të mia,” u shpreh ministri Dukaj.
Në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Administratës Publike thuhet se të dy palët janë pajtuar se ekzistojnë mundësi reale për të forcuar kapacitetet institucionale në të dyja vendet, përmes shkëmbimit të përvojave, mbështetjes reciproke ekspertëve dhe organizimit të vizitave studimore për nëpunësit civilë.
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, theksoi: “Me mbështetje dhe bashkëpunim të ndërsjellë, mund të arrijmë më shpejt dhe më lehtë anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian. Në këtë rrugë, administrata publike është sfida jonë e përbashkët dhe kërkon angazhim të koordinuar nga të gjitha institucionet përkatëse,” tha ndër të tjera Fetai.