RAMA E PLENKOVIQ KËRKOJNË MASA KUNDËR SERBISË PËR SHKAK TË DHUNËS NË KOSOVË

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe homologu i tij kroat, Andrej Plenkoviq, i bënë thirrje të hënën Bashkimit Evropian dhe Perëndimit të ndërmarrin masa kundër Serbisë, pas sulmit nga një grup i armatosur serb ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit më 24 shtator.

Rama, i cili është në një vizitë në Zagreb, tha se agresioni i “forcave paramilitare është po aq shqetësues sa vetë reagimi i Beogradit”. 

Thirrja e dy liderëve vjen një javë pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serb në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

“Ne e kemi një krim, një vrasje të një oficeri policor, dhe e kemi heroizmin e atyre që e kryen krimin”, tha Rama, duke ngulur këmbë se një gjë e tillë nuk duhet të jetë e pranueshme në Evropë, e cila ka vlera të kundërta me këtë.

Plenkoviqi tha se Serbia e pranoi në njëfarë mënyre përfshirjen në sulm duke shpallur zi për sulmuesit e vrarë.

“Ne besojmë se shpallja ditë zie për tre de fakto terroristët që vranë policin e Kosovës ishte një veprim i papranueshëm dhe nuk jemi aspak të kënaqur që një lëvizje e tillë politike është bërë në këtë moment, gjë që pothuajse nënkupton identifikimin me atë që ata kanë bërë. Nga kjo jam i sigurt se në ditët e ardhshme, pas një analize tërësore, është gjithmonë mirë të informohemi plotësisht se çfarë dhe si ndodhi, do të ketë propozime”, tha Plenkoviq.

SHARE