Fillimi i shtatorit riktheu protestat gjigante në Serbi, duke fashitur kështu shpresat e qeverisë për një qetësim të situatës.
Dhjetëra mijëra vetë mbushën rrugët e Beogradit, në një marshim përkujtimor të thirrur nga nxënësit e shkollave të mesme, në kuadër të një bllokade në ditën e parë të vitit shkollor.
Tubimi përfundoi në Sheshin e Republikës, në qendër të kryeqytetit, me vendosjen e kurorave dhe trëndafilave të bardhë për 16 viktimat e shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad. U mbajt gjithashtu një heshtje 16-minutëshe në nderim të viktimave.
Protesta të ngjashme u mbajtën në disa qytete të Serbisë, dhjetë muaj nga shembja e strehës që çoi në protesta masive në Serbi dhe bllokada të institucioneve të arsimit të lartë.
U bë thirrje për zgjedhje të parakohshme, për hetime transparente ndaj përgjegjësve për incidentin, si dhe për institucione e media të lira.
Para godinës së gazetës ditore Politika dhe të Radio Beogradit, u mbajt një fjalim i regjistruar ku thuhej se “media e lirë po vdes”.
“Ne kujtojmë, nuk heshtim”, thuhej aty. Para ndërtesës së Gjykatës Kushtetuese, nga një altoparlant i improvizuar u dëgjua një fjalim i incizuar, ku thuhej se “gjyqësori është një pushtet i pavarur në Serbi vetëm në librat tanë shkollorë”.