Foto: Damira Kalač
Ministria e Punëve të Brendshme u bën thirrje të gjithë qytetarëve që ende nuk e kanë zëvendësuar kartën e vjetër të identitetit me atë të re, që ta bëjnë këtë më së voni deri më 30 shtator të këtij viti, në mënyrë që të vazhdojnë pa pengesa realizimin e të drejtave dhe obligimeve të tyre.
Ata rikujtojnë se MPB ka filluar me lëshimin e dokumenteve të gjeneratës së tretë më 30 mars 2020, në përputhje me Ligjin për plotësimet dhe ndryshimet e Ligjit për kartën e identitetit.
“Me ndryshimet e ligjit të miratuara në mars të vitit 2025, është zgjatur afati për zëvendësimin e kartave të identitetit deri më 30 shtator, në vend të afatit fillestar që duhej të përfundonte më 30 mars”, thuhet në njoftim.
Kartat e identitetit të gjeneratës së tretë janë dokumente elektronike publike, përparësia e të cilave, ndër të tjera, është edhe zvogëlimi i mundësisë për keqpërdorim dhe falsifikim të këtij dokumenti.
“Me përdorimin e certifikatave që ndodhen në kartën elektronike të identitetit, qytetarët do të kenë mundësi të kryejnë një numër të madh të obligimeve administrative pa pasur nevojë të paraqiten fizikisht në sportelet e njësive/zyrave përkatëse”, thuhet më tej në njoftim.
Procedura për lëshimin e kartës së re të identitetit është e njëjtë me atë të mëparshmen.
“Qytetarët janë të liruar nga pagesa e taksës administrative për lëshimin e kartës së identitetit, ndërsa shuma e kompensimit për formularin është 5,00 euro”, thuhet në fund të njoftimit.