Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, duke marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni, deklaroi se Evropa duhet të rifitojë vetëbesimin në vlerat që përfaqëson dhe në të ardhmen e saj të begatë.
Ai theksoi se anëtarësimi i Malit të Zi në Bashkimin Evropian do të ishte një sinjal i rëndësishëm për rajonin, duke treguar se zgjerimi është ende i mundur dhe se Evropa është në gjendje të përballet me sfidat e saj.
Ftesa për të marrë pjesë në këtë forum, që këtë vit u organizua për herë të 20-të me moton “Një botë që po del jashtë kontrollit”, iu bë nga presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar.
Në panelin presidencial, krahas Millatoviqit, morën pjesë edhe presidenti i Estonisë, Alar Karis dhe presidenti i Çekisë, Petr Pavel.
Millatoviq u shpreh se si përfaqësues i një gjenerate të re politikanësh në Ballkan, ai është më optimist për zhvillimet në Evropë sesa disa shtete anëtare të BE-së.
“Ajo që mungon sot në Evropë është vetëbesimi. Dua të shoh liderë evropianë që me më shumë bindje dhe krenari përfaqësojnë atë që Evropa tashmë është – institucione, sundim të ligjit, të drejtat e njeriut, cilësi jetese dhe drejtësi sociale. Vlera që në shumë pjesë të botës nuk ekzistojnë,” theksoi presidenti.
Ai rikujtoi historinë e zgjerimit të BE-së dhe tha se bashkimi ka qenë gjithmonë përgjigjja evropiane ndaj sfidave globale nga përfshirja e Britanisë në vitet ‘70, deri te shtetet jugore dhe lindore në dekadat në vijim.
“Përgjigjja është: më shumë Evropë”, tha ai.
Duke folur si i vetmi lider në panel që përfaqësonte një shtet që ende nuk është anëtar i BE-së, Millatoviq tha se mund të flasë në emër të vendeve kandidate dhe përpjekjeve të tyre për t’u bërë pjesë e familjes evropiane.
“Në një botë gjithnjë e më sfiduese, Evropa duhet të qëndrojë besnike ndaj politikës që jep rezultate, politikës së zgjerimit. Përfshirja e Ballkanit, por edhe e vendeve si Ukraina dhe Moldavia, duhet të jetë përgjigjja e qartë. Anëtarësimi i Malit të Zi nuk është vetëm një histori për Malin e Zi, por një mesazh për gjithë rajonin se zgjerimi është i mundur dhe Evropa di ende si të zgjidhë sfidat e saj.”
Millatoviq gjithashtu u shpreh se Evropa po bëhet më e fortë dhe më e pavarur në çështjet e sigurisë, dhe theksoi nevojën për të gjetur një paqe të drejtë për Ukrainën.
Sa i përket konfliktit izraelito-palestinez, ai deklaroi se Mali i Zi mbështet zgjidhjen me dy shtete, gjë që e ka treguar edhe me njohjen e Palestinës, dhe theksoi se askush nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj katastrofës humanitare në Gaza.