Foto: KKSH
Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi ka përcjellë urimet më të përzemërta për të gjithë nxënësit shqiptarë që vijojnë mësimet në gjuhën shqipe në qytetet Rozhajë, Plavë, Guci, Malësi, Tivar dhe Ulqin.
Në mesazhin e urimit, kryetari i KKSH-së, Faik Nika, theksoi rëndësinë e arsimit në gjuhën amtare, duke e cilësuar atë si një shtyllë thelbësore për ruajtjen e identitetit kombëtar, gjuhës dhe trashëgimisë kulturore të shqiptarëve në Mal të Zi.
“Arsimi në gjuhën shqipe nuk është vetëm mjet për përvetësimin e dijes, por edhe një bazë e fortë për formimin e një komuniteti të vetëdijshëm dhe krenar për rrënjët e veta,” u shpreh Nika.
Ai shprehu mirënjohje për përkushtimin e mësuesve, mbështetjen e prindërve dhe zellin e nxënësve, duke theksuar se bashkëpunimi ndërmjet tyre është çelësi për një vit të suksesshëm shkollor.
Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve uroi që ky vit shkollor të jetë i mbushur me dije, sukses dhe arritje për të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit shqiptarë.