Italia ka propozuar një reformë të thellë të Bashkimit Europian, duke kërkuar heqjen e të drejtës së vetos, bashkimin e Komisionit dhe Këshillit Europian në një institucion të vetëm, si dhe fuqizimin e kompetencave të Parlamentit Europian.
Kryediplomati italian, Antonio Tajani, deklaroi se “Europa ndodhet në një udhëkryq të madh” dhe se “nevoja për reforma është më urgjente se kurrë më parë”.
Ai theksoi se BE-ja duhet të bëhet më e fortë dhe më e aftë për të vepruar në skenën ndërkombëtare.
Sipas propozimit të Italisë, posti i Presidentit të Komisionit Europian, aktualisht i mbajtur nga Ursula von der Leyen, dhe ai i Presidentit të Këshillit Europian, që mbahet nga Antonio Costa, duhet të bashkohen në një post të vetëm.
Për më tepër, Italia sugjeron që ky post të mos zgjidhet më nga Parlamenti Europian, por përmes një votimi të drejtpërdrejtë nga qytetarët e të gjitha vendeve anëtare të BE-së.
Tajani theksoi gjithashtu se Parlamenti Europian duhet të fuqizohet duke i dhënë pushtet të plotë legjislativ, për të garantuar një proces më demokratik të vendimmarrjes në BE.
Ai shtoi se reformat janë të nevojshme edhe në fusha të tjera kyçe si tregu i kapitaleve, energjia dhe politika fiskale.