HASANI: ANËTARËSIMI NË BE ËSHTË NJË OBJEKTIV KOMBËTAR PËR SHQIPËRINË, POR EDHE NJË DOMOSDOSHMËRI RAJONALE

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, ka deklaruar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian (BE) për Shqipërinë është një objektiv kombëtar, por edhe një domosdoshmëri rajonale, transmeton Anadolu.

Ministri Hasani po merr pjesë në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni, ndërkohë me ftesë të kryediplomates sllovene, Tanja Fajon, është takuar me ministrat e jashtëm të Ballkanit Perëndimor, sipas tij për të diskutuar integrimin në BE, sigurinë rajonale dhe bashkëpunimin ekonomik.

“Anëtarësimi në BE është një objektiv kombëtar për Shqipërinë, por edhe një domosdoshmëri rajonale. Një bashkëpunim më i fortë brenda kornizave të BE-së dhe NATO-s është rruga përpara drejt një Ballkani Perëndimor të integruar, të qëndrueshëm dhe të sigurt”, është shprehur Hasani.

Ditën e sotme, Hasani do të marrë pjesë në panelin me temë “Rajoni larg të rinjve: Koha për ndryshim”, i cili do të fokusohet tek nevoja e fuqizimit të të rinjve në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe bërja pjesë e tyre në jetën aktive të zhvillimit shoqëror, ekonomik dhe demokratik.

Në ditën e parë të punimeve të forumit, i pranishëm ishte edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ky vit shënon 20-vjetorin e Forumit Strategjik të Bledit, një konferencë ndërkombëtare në Evropën Qendrore dhe Juglindore që bashkon udhëheqës botërorë nga fusha të ndryshme për dialog strategjik në nivel të lartë.

SHARE