GORÇEVIQ: FILLIMI I HARTIMIT TË MARRËVESHJES SË ANËTARËSIMIT DO TË ISHTE SHTYSË PËR RRUGËN TONË DREJT BE-së

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministrja për Çështje Evropiane, Maida Gorçeviq, mori pjesë në takimin e parë joformal të ministrave për çështje evropiane gjatë presidencës daneze të Këshillit të BE-së, që u mbajt në Kopenhagë.

Ajo theksoi se qëllimi i Malit të Zi është që deri në fund të vitit, gjatë presidencës daneze, të mbyllë edhe disa kapituj të tjerë negociues.  

“Presim një vlerësim të bazuar në meritë për përparimin tonë, ndërsa fillimi i hartimit të Marrëveshjes së Anëtarësimit të Malit të Zi në BE do të ishte një shtysë e fortë për rrugën tonë evropiane, si dhe sinjal i besueshmërisë së politikës së zgjerimit”, theksoi Gorçeviq.

Ajo foli edhe për rëndësinë që kanë pasur presidencat e mëparshme daneze në Këshillin e BE-së, duke rikujtuar se kriteret e Kopenhagës kanë formësuar idenë e BE-së si një bashkësi vlerash, ku liritë individuale, të drejtat e njeriut dhe qeverisja e përgjegjshme ekonomike vendosen mbi interesat afatshkurtra.

Ministrja shprehu bindjen se presidenca e tretë daneze, deri në fund të këtij viti, do të jetë po aq e rëndësishme për politikën e zgjerimit.

“Nën udhëheqjen daneze, ky moment mund të bëhet pikë kthese në integrimin e Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane,” tha Gorçeviq, duke shtuar se kjo do të siguronte që vizioni i lindur në Kopenhagë para më shumë se tre dekadave, të vazhdojë të frymëzojë transformimin dhe unitetin në të gjithë kontinentin.

Duke folur për sukseset e Malit të Zi në rrugën evropiane, ajo theksoi se pas formimit të qeverisë së re ka ndodhur një ndryshim vendimtar në negociatat me BE-në.

“Një vit pas IBAR-it të parë historik, Mali i Zi ka hyrë në një fazë të re të anëtarësimit, ka kapërcyer ngecjen shumëvjeçare dhe tani po përparon me energji të re, i vendosur që të përfundojë negociatat deri në vitin 2026 dhe të bëhet anëtar i BE-së deri në vitin 2028”, përfundoi Gorçeviq.

SHARE