IZRAELI, MES PROTESTAVE DHE GREVAVE. UNIONI MË I MADH PEZULLON PUNËN, KUNDËRSHTON QEVERIA

Një grevë e përgjithshme ka nisur këtë të hënë në Izrael, pas protestave masive të së dielës që fajësuan qeverinë e Benjamin Netanjahut për dështim në lirimin e pengjeve të marra nga Hamasi.

Histadrut – një nga sindikatat më të fuqishme të vendit – njoftoi grevën njëditore.

Disa fluturime në aeroportin Ben Gurion, qendra kryesore e tranzitit ajror të Izraelit, janë ndërprerë që nga fillimi i një greve në orën 08:00 me kohën lokale.

Ndërsa protestat vazhdojnë, mediat izraelite raportojnë se shteti ka paraqitur një urdhër në Gjykatën Kombëtare të Punës për të konsideruar të paligjshme atë dhe për të detyruar unionin sindikalist që të tërhiqet.

Sipas gazetës Haaretz, qeveria ka kërkuar gjithashtu edhe nga prokuroria nxjerrjen e një urdhri të ndërmjetëm për të pezulluar grevën. E njëjta gazetë thotë se kërkesa e saj është miratuar nga Prokuroria e Përgjithshme.

Të dielën, dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në të gjithë Izraelin pasi trupat e gjashtë pengjeve u gjetën të vrarë në Gaza. Izraeli fajësoi Hamasin, teksa militantët thanë se pengjet humbën jetën nga kokëfortësia e Tel Avivit për të nënshkruar një armëpushim.

SHARE