MBRËMË U SHËNUA DITA E KOMUNËS SË TUZIT

Mbrëmë në oborrin para ndërtesës së Komunës  u mbajt ceremonia solemne, me rastin e  1 Shtatorit – Ditës së Komunës së Tuzit. Në këtë mbrëmje, në tapetin e kuq parakaluan figura të shquara nga sfera politike si dhe  ajo kulturore e shkencore, të cilët u mirëpriten nga udhëheqësia e komunës së Tuzit. Ceremonia u hap me himnin e Malit të Zi dhe atë Shqiptar. Fjalën e rastit e mbajtën kryetari i Kuvendit të Komunës së Tuzit, Fadil Kajoshaj si dhe kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj të cilët folën mbi realizimin e projekteve të shumta si dhe zhvillimin e Malësisë në sfera të ndryshme, duke u ofruar kështu një jetë më të mirë qytetarëve të Malësisë. Gjatë mbrëmjes, ka pasur performanca të artistëve të mirënjohur, Kastriot Tusha dhe Manjolla Nallbani si dhe artistëve të rinj nga Malësia – Kristjan Bojaj dhe Dea e Mateo Nicaj. Po ashtu, u bë edhe ndarja e çmimit ,,1 Shtatori, Dita e Komunës së Tuzit”, çmim të cilin Juria vendosi të i’a japë Nikollë Gegajt dhe Angjella Berishajt. Nikollë Gegaj – për kontributin shumëdekadash në fushën e sportit të taekwondo-së dhe punës me rininë e Malësisë në KT „Besa”, për sukseset e arritura sportive dhe shoqërore, si dhe Angjella Berishaj, – anëtare e TK „Besa” për suksesin më të madh të një sportisteje nga Mali i Zi dhe sportisteje shqiptare në sportin e taekwondo-së – medaljen e argjendtë në kampionatin botëror për juniorë 2022. Risi në këtë mbrëmje ishte edhe prezantimi i revistës ,,Komuna” – revistë kjo për vetëqeverisjen lokale, e njohur për stilin e saj interesant të shkrimit, që numrin e saj të radhës ia kushtoi plotësisht Komunës së Tuzit. Për herë të parë në historinë e saj, kjo revistë del me të gjitha tekstet në dy gjuhë: në atë shqipe dhe malazeze. Në fund, për të gjithë të pranishmit u shtrua një koktej modest.

SHARE