PËRMBYTJET SHKAKTOJNË GJENDJE TË JASHTËZAKONSHME NË NJU JORK

Të paktën 6 të vdekur raportohet të ketë shkaktuar uragani Ida në pjesën lindore të SHBA-së. Katër persona vdiqën në New York, dy të tjerë në New Jersey, e bilanci i viktimave mund të mos mbyllet këtu. Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Bill de Blasio, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme pak pas mesnatës, duke thënë: “Jemi duke u përballur me një ngjarje historike të motit sonte me reshje rekorde në mbarë qytetin, vërshime të ashpra dhe kushte të rrezikshme në rrugët tona. qëndroni larg rrugëve, qëndroni në shtëpi, qëndroni të sigurtë, ishte apeli i tij. Në qytetin e Nju Jorkut, u shpall për të parën herë emergjenca nga përmbytjet, pasi metrotë u kthyen në ujëvara, ndërsa rrugët në Midtoën u shndërruan në lumenj. Uragani Ida la mbi një milionë banorë të shtetit amerikan të Luizianës pa energji elektrike dhe furnizim me ujë të pastër. Tetë linja të transmetimit të energjisë elektrike që furnizojnë qytetin turistik të Nju Orlinsit dhe pjesën jugore të shtetit të Luizianës janë dëmtuar, ose shkatërruar nga stuhia që goditi këtë zonë me erëra të forta që arritën shpejtësinë prej 240 kilometrash në orë. Guvernatori i Luizianës, John Bel Edwards tha se digat mbrojtëse, të përforcuara pas uraganit Katrina, këtë radhë funksionuan më mirë. Megjithatë, ai u bëri thirrje banorëve të larguar, që të mos kthehen menjëherë në zonat e shkatërruara, për shkak të dëmit të madh mbi infrastrukturën dhe përpjekjeve për evakuimin e njerëzve nga zonat e përmbytura.

SHARE