OKB “RRIT PRESIONIN”: TË SHMANGET PËRSHKALLËZIMI NË LINDJEN E MESME

Pas sulmeve me vrasjen e udhëheqësve të Hamasit dhe Hisbollahut në Teheran dhe Bejrut disa vende të Këshillit të Sigurimit bëjnë thirrje për të parandaluar një përshkallëzim të mëtejshëm në Lindjen e Mesme.

Shumica e vendeve të Këshillit të Sigurimit në OKB shprehën shqetësimin e tyre lidhur me një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit në rajonin e Lindjes së Mesme, ku ndërkohë Izraeli dhe Hamasi ndodhen në luftë. Zëvendësambasadorja franceze Nathalie Broadhurst bëri thirrje për “përgjegjësi më të madhe dhe përmbajtje më të madhe, për të shmangur një përhapje rajonale të konfliktit”. “Ne druajmë, se rajoni ndodhet në prag të një lufte totale”, thotë zëvendësambasadori japonez në OKB Shino Mitsuko. Ai kërkoi përpjekje ndërkombëtare, për ta shmangur një konflikt të tillë.

Natën e së mërkurës, me një sulm nga ajri në Teheran u vra shefi i byrosë politike të organizatës islamiste-militante palestineze Hamas, Ismail Hanija. Atje ai kishte marrë pjesë në ceremoninë e betimit të presidentit të ri Massud Peseshkian. Hamasi dhe Irani akuzojnë armikun e tyre kryesor Izraelin. Izraeli, që ndodhet në luftë me Hamasin, as nuk e ka konfirmuar dhe as nuk e ka përgënjeshtruar vrasjen.

Vetëm pak orë më vonë aviacioni ushtarak izraelit, sipas të dhënave të veta, vrau komandantin ushtarak të nivelit të lartë të organizatës shiite militante pro-iraniane Hisbillah në Liban, Fuad Schukr. Izraeli e bën atë përgjegjës për sulmin vdekjeprurës me raketa ndaj kodrave të pushtuara Golan të shtunën e kaluar (27.07.2024), ku si pasojë gjetën vdekjen dymbëdhjetë fëmijë dhe të rinj druzë. Hamasi dhe Hisbollahu klasifikohen nga SHBA dhe BE si organizata terroriste.

Guterres paralajmëron për përshkallëzim.

Pak përpara seancës urgjente të Këshillit të Sigurimit sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres përmes zëdhënësit të tij deklaroi, se sulmet në Iran dhe në Liban janë një “përshkallëzim i rrezikshëm”. Duhet të shmangen të gjitha aksionet, “që mund ta zhysin në humnerë Lindjen e Mesme”.

SHARE