RUSIA DREJT RIKTHIMIT NË MARRËVESHJEN E GRURIT? SHBA: KA SINJALE PËR NJË VEPRIM TË TILLË

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë një dritë jeshile për mundësinë e rikthimit të Rusisë në marrëveshjen e grurit, kjo për shkak të fillimit të bisedimeve.

Ende nuk ka një reagim zyrtar nga pala ruse për përcaktimin e një date, por pritet që të nisin bisedimet për marrëveshjen që lejon eksportimin e sigurt të drithërave ukrainase nga Deti i Zi.

Ambasadorja e SHBA-së në OKB deklaroi se nëse Rusia dëshiron që produktet e saj të mbërrijnë në tregjet botërore kthimi në marrëveshje është kusht.

“Ne kemi parë tregues se ata mund të jenë të interesuar që të rikthehen në diskutime. Prandaj, ne duhet të presim që të shohin nëse kjo do të ndodhë”, tha ajo pa dhënë më shumë detaje.

Pak javë më parë Rusia vendoi të mos rinovojë marrëveshjen e grurit, duke lënë pezull të gjithë situatën, e cila nxiti frikën për rritjen e një krize në tregje.

Vitin e kaluar, pas nisjes së pushtimit të Ukrainës, OKB-ja dhe Turqia ndërmjetësuan marrëveshjen për eksportin e drithërave, vendim që solli uljen e çmimeve.

Që nga tërheqja e Rusisë nga marrëveshja, Ukraina po eksporton produktet e saj përmes rrugëve tokësore për në Bashkimin Evropian, por edhe përmes rrugëve alternative përmes lumit Danub.

Pavarësisht vazhdimit të eksporteve, situata në portet ukrainase mbetet e vështirë, pasi sulmet ruse kanë goditur magazinat ku ndodhen drithërat, duke shkaktuar dëme të shumta.

SHARE