FILLON ME DETYRËN QEVERIA E PËRKOHSHME NË BULLGARI

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, ka emëruar një qeveri të përkohshme që do të qeverisë vendin deri në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 2 tetor.  Në fjalimin e tij në ceremoninë e betimit që u mbajt në presidencë, Radev tha se ka emëruar qeverinë e përkohshme.Duke prezantuar kryeministrin e qeverisë së përkohshme, Galab Donev, si dhe anëtarët e kabinetit, Radev tha se, “Detyra jonë kryesore do të jetë të mbajmë shtetin larg nga pjesëmarrja në luftë dhe të mbrojmë sigurinë tonë kombëtare”. Ai vuri në dukje se Bullgaria duhet të qëndrojë larg nga lufta Rusi-Ukrainë. Sipas tij, qeveria do të jetë përgjegjëse për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në mënyrë transparente dhe të duhur. Ai shtoi se shpreson që paqëndrueshmëria politike në vend do të marrë fund. Donev, nga ana e tij, shpjegoi se detyrat kryesore të qeverisë së përkohshme janë “përgatitja e zgjedhjeve të parakohshme, vendosja e besimit të ndërsjellë midis institucioneve kryesore shtetërore në vend, gjetja e një rrugëdaljeje nga të gjitha krizat e trashëguara dhe reduktimi i tensioneve politike”. Pas fjalimeve, kryeministri Donev dhe kabineti me 20 anëtarë u betuan.

SHARE