Foto: Ilustrim
Sindikata e Shëndetësisë do të organizojë nesër në Podgoricë, në Sheshin Vektra, një protestë për mbrojtjen e dinjitetit të infermiereve dhe teknikëve mjekësorë.
Unioni i Sindikatave të Pavarura të Malit të Zi ka ftuar të gjithë anëtarët dhe qytetarët që të marrin pjesë në protestë, e cila do të nisë në orën 15:30, për të mbështetur përpjekjet e Sindikatës së Shëndetësisë.
Sipas Unionit, është e papranueshme që infermieret dhe teknikët, të cilët janë shtylla kryesore e sistemit shëndetësor dhe punojnë me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë, të injorohen prej vitesh sa i përket kushteve të punës, sigurisë dhe pagave.
Edhe pse koeficienti i kompleksitetit të punës përcaktohet jo vetëm nga niveli i arsimit, por edhe nga përgjegjësitë dhe kushtet e punës, paga bazë për këtë profesion është shpesh nën 600 euro, që është paga minimale mbrojtëse.
Gjithashtu, koeficienti i kompleksitetit për këtë profesion është rreth 10% më i ulët se i të punësuarve të tjerë me të njëjtin nivel arsimor në Mal të Zi.
Unioni i Sindikatave të Pavarura të Malit të Zi kërkon që vendimmarrësit t’u kushtojnë vëmendje infermiereve dhe teknikëve dhe të ndërmarrin masa për mbrojtjen e dinjitetit të tyre, sigurimin e kushteve të mira të jetesës dhe qëndrimin e tyre në vend dhe në punë.
Çdo humbje e mëtejshme e këtij kadri të çmuar është humbje jo vetëm për sistemin shëndetësor, por për të gjithë shoqërinë.
Unioni i Sindikatave të Pavarura të Malit të Zi shpreh mbështetjen e plotë për këtë protestë, duke e quajtur atë një sinjal alarmi për autoritetet që t’i japin fund padrejtësive shumëvjeçare ndaj infermiereve dhe teknikëve mjekësorë.