Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Në Kuvendin e Malit të Zi sot po zhvillohet debat mbi disa marrëveshje ndërkombëtare në fushën e arsimit dhe bashkëpunimit kulturor, ndërsa opozita ka mohuar pretendimet se nuk do të marrë pjesë për shkak të mungesës së ministres së Arsimit.
Boris Mugosha (SD) u është përgjigjur përfaqësuesve të Ministrisë duke mohuar se ndonjë përfaqësues i opozitës ka thënë që nuk do të diskutojë sot mbi pikën që ka të bëjë me miratimin e Marrëveshjes për qasjen në arsimin e lartë dhe pranimin në studime në Ballkanin Perëndimor, për shkak të mungesës së ministres në fjalë.
“Nuk e di kush jua ka thënë këtë. Ne nuk do t’u shërbejmë përfaqësuesve të shumicës për të rregulluar llogaritë mes vete. Nëse kanë diçka kundër ministres, le të na anashkalojnë ne nga opozita. I mohoj sërish fuqishëm këto pretendime”, tha Mugosha.
Nikolla Milloviq (PDS) shtoi se sot në Qeveri, në ministri dhe në nivelin lokal, ka një numër të madh personash me diploma të dyshimta.
“Ministria duhet t’i hapë mirë sytë, disa nuk e dinë as sa kanë zgjatur studimet e tyre, as çfarë provimesh kanë kaluar”, deklaroi Milloviq.
Deputetët do të diskutojnë mbi ligjin për miratimin e Marrëveshjes për qasjen në arsimin e lartë dhe pranimin në studime në Ballkanin Perëndimor, si dhe mbi Projektligjin për miratimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për bashkëpunim në fushën e kulturës, arsimit, shkencës, rinisë dhe sportit.