MUJOVIQ: ZJARRFIKËSIT, SUPERHERONJ DHE PATRIOTA TË VËRTETË

Foto: Univerziteti i Malit të Zi / Univerzitet Crne Gore

Kryebashkiaku i Podgoricës, Sasha Mujoviq, në një intervistë për RTV të qytetit, përgëzoi zjarrfikësit duke i quajtur “superheronj dhe patriota të vërtetë” për angazhimin e tyre gjatë zjarreve që kanë përfshirë kryeqytetin.

Ai veçoi rastin e një zjarrfikësi që u plagos rëndë, duke pasur në bark nëntë kopça pas një ndërhyrjeje kirurgjikale, por që megjithatë kërkoi menjëherë të kthehej në terren për të ndihmuar kolegët.

Mujoviq theksoi se kjo dëshmon përkushtimin, guximin dhe vetëflijimin e zjarrfikësve, të cilët punojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe japin maksimumin për të mbrojtur qytetin.

Ai bëri apel të fuqishëm për qytetarët që të jenë të përgjegjshëm, të mirëmbajnë sipërfaqet e tyre duke i pastruar dhe prerë rregullisht, dhe të mos ndezin zjarre gjatë periudhës së ndaluar, sidomos për shkak të erës së fortë veriut që e bën shumë të vështirë fikjen e zjarreve, pavarësisht kapaciteteve apo pajisjeve.

Mujoviq kritikoi ashpër disa politikanë që, sipas tij, “shtojnë tensionin” duke folur keq për zjarrfikësit, ndërkohë që zjarrfikësit kanë arritur të fiknin zjarret në mijëra hektarë në Podgoricë, Zetë dhe Tuz.

Ai tha se këto akuza janë shumë të padrejta dhe theksoi se ata që duhet të jenë shembull i përgjegjshmërisë po bëjnë sjellje të gabuar dhe të dëmshme.

Në fund, kryebashkiaku u drejtohet zjarrfikësve duke i inkurajuar të vazhdojnë punën e tyre heroike dhe duke i quajtur ata “ superheronj dhe patriota të vërtetë”, ndërsa kritikëve u kërkon të ndalojnë sulmet dhe të mbështesin përpjekjet e zjarrfikësve në këtë periudhë kritike. Ai përfundon me thirrjen që të gjithë të bashkëpunojnë për të ruajtur pronën dhe sigurinë e qytetarëve, ndërsa për “luftën politike” tha se ka kohë pas sezonit të zjarreve.

SHARE