Gjatë vizitës së qershorit në Prishtinë dhe në Beograd, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirsollav Lajçak – i cili do të zëvendësohet në muajt e ardhshëm – paralajmëroi se Prishtina dhe Beogradi duhet të dëshmojnë qasje konstruktive në dialog, për të aksesuar veç të tjerash edhe fondin prej 6 miliardë eurosh që blloku planifikon të ndajë për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Maja Pishqevic, vëzhguese nga Këshilli Atlantik për dialogun, i tha REL-së se nevojitet një ndryshim në taktikën e ndërmjetësimit mes dy vendeve, teksa kushtëzimi vetëm me integrimin europian nuk ka bërë punë.
“Kushdo që e zëvendëson Lajçakun, duhet të ketë instrumente të tjera për ta drejtuar procesin. Nëse nuk i ka, do të përfundojë si ai, pa arritur t’i bindë palët të zbatojnë marrëveshjet. Nuk jam optimiste se do të ndryshojë ndonjë gjë, nëse në fund, ndryshon vetëm emri i ndërmjetësuesve”, shprehet ekspertja.
Duke marrë parasysh “status quo-në e brishtë” në Kosovë, Pishqevic thotë se BE-ja do të duhej të koordinohej edhe me partnerë ndërkombëtarë, të tillë si NATO-ja, për të mbështetur këtë proces.
Ndërkohë, Jamie Shea, ish-zëvendës i ndihmësit të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, është shprehur se gjëja e parë që do të duhet të bëjë Mark Rutte në Kosovë, si shef i ri i NATO-s është të forcojë misionin e KFOR-it në kufirin e saj me Serbinë.
Ai shprehu bindjen se Rutte duhet ta mbajë Kosovën lart në xhendë, pikërisht për shkak të situatës së brishtë të sigurisë, ndërsa gjithashtu sipas tij, ajo duhet ta rrisë edhe angazhimin diplomatik me Bashkimin Evropian.