Pavarësisht përpjekjeve të ndërkombëtarëve për t’i dhënë një zgjidhje paqësore situatës në veri të Kosovës, KFOR-i ka nisur të shtojë edhe më tepër praninë e tij në të 4 komunat me shumicë serbe.
Këto janë autoblindat dhe automjetet e forcave të KFOR që mbërritën paraditen e së premtes në Leposaviq dhe Zveçan, dy nga zonat më të tensionuara ditët e fundit si pasojë e protestave të serbëve.
Ndërsa këto janë të tjera forca të misionit të NATO-s, të cilat vijojnë të ruajnë sigurinë e komunës se Leposaviqit, e cila vijon të jetë e rrethuar me tela me gjemba.
Serbët dolën sërish të protestojnë të gjitha komunat, por ashtu si një ditë më parë edhe kësaj here tubimet ishin më të vogla dhe të qeta.
Në Zubin Potok serbët ngritën tenda, ndërsa vijuan të qëndrojnë në rrugë. Ndryshe nga Leposaviqi dhe Zveçani, në Zubin Potok për sigurinë rreth objektit të komunës po kujdeset Policia e Kosovës.
Protesta pati jo vetëm në 4 komunat ku janë zgjedhur kryetarët e rinj, por edhe në Graçanicë, një nga gjashtë komunat e banuara me shumicë serbe në jug të Ibrit.
Kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi është i vetmi kryetar komune që prej 5 ditësh është ngujuar në godinën e komunës.
Ndërkohë që krerët e tjerë të zgjedhur disa javë më parë i ushtrojnë funksionet nga ambiente të tjera.