Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se Gjermania dhe Franca u kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë të mbajnë zgjedhje të reja në komunat në veri të Kosovës.
“Franca dhe Gjermania u kërkuan udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë të organizojnë zgjedhje të reja në rajonet e prekura nga trazirat sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Macron, i cili shtoi se u kërkua që të qartësohen edhe rregullat për zgedhje.
Ai tha gjatë javëve të ardhshme do të ketë “vendim të qartë” për situatën në veri të Kosovës dhe se për këtë gjë u pajtuan gjatë takimeve me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe liderët lokalë – presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Osmani dhe Vuçiçi kanë zhvilluar takime të ndara me udhëheqësit evropianë, në margjinat e samitit të Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin moldav, Kishinau.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i është bashkuar thirrjes së Francës dhe Gjermanisë për ta mbajtur zgjedhje të reja në komunat në veri të Kosovës.
Ai tha se përveç kësaj, kërkohet të sigurohet pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në procesin zgjedhor dhe të fillohet puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Nëse ka dështim për ta bërë këtë, do të ketë pasoja të rënda për marrëdhëniet tona”, shkroi Borrell në Twitter.