Foto: AA
Fëmijët janë të privuar nga nevojat jetësore për shkak të bllokimit të ndihmës për Rripin e Gazës, ndërsa rreziku i urisë, sëmundjeve dhe vdekjes po rritet çdo ditë, ka thënë Catherine Russell, drejtoresha ekzekutive e Fondit të OKB-së për Fëmijët (UNICEF), transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim në lidhje me situatën e fëmijëve në Gaza, Russell tha se fëmijët në Rripin e Gazës po luftojnë për mbijetesë tashmë dy muaj nën bombardimet e vazhdueshme, të privuar nga ushqimi bazë, shërbimet dhe kujdesi jetëshpëtues.
“Me bllokimin e ndihmës, rreziku i urisë, sëmundjeve dhe vdekjes rritet çdo ditë. Kjo situatë nuk mund të justifikohet asnjëherë”, është shprehur ajo.
Russell ka thënë se ndihma humanitare është “i vetmi shpëtim” për fëmijët në rajon, duke shtuar se furnizimit janë afër mbarimit.
Duke theksuar se familjet në Gaza po luftojnë për mbijetesë, Russell ka deklaruar: “Ata nuk mund të shpëtojnë dhe të gjejnë strehim në një vend të sigurt. Toka që ata kultivojnë është shkatërruar, qasja e tyre në det ku peshkojnë është kufizuar. Furrat e bukës po mbyllen, prodhimi i ujit po zvogëlohet, raftet e dyqaneve janë pothuajse bosh. Përveç ndihmës, nuk ka mbetur asnjë mbështetje për fëmijët”.
Sipas saj, më shumë se 75 për qind e familjeve kanë pasur vështirësi në aksesin ndaj ujit muajin e fundit ndërsa njerëzit nuk mund të gjejnë ujë të pijshëm dhe shpesh duhet të zgjedhin midis dushit, pastrimit ose gatimit.
Russell po ashtu ka tërhequr vëmendjen ndaj përhapjes së sëmundjeve epidemike në Gaza.
“Vaksinat po mbarojnë me shpejtësi. Ka një rritje serioze të rasteve të diarresë akute ujore në veçanti, dhe një e katërta e sëmundjeve të regjistruara aktualisht në Gaza janë këto raste. Shumica e këtyre rasteve shihen te fëmijët nën moshën 5-vjeç dhe janë kërcënuese për jetën e tyre”, ka alarmuar zyrtarja e UNICEF-it.
Russell ka thënë gjithashtu se më shumë se 9.000 fëmijë janë shtruar në spitale për trajtim të kequshqyerjes akute që nga fillimi i vitit, ndërsa qindra të tjerë nuk kanë mundësi të marrin trajtim për shkak të pasigurisë dhe zhvendosjes.
– “Ndihma duhet të lejohet të kalojë”
Duke vënë në dukje se e drejta ndërkombëtare humanitare kërkon që popullsia nën kontroll të trajtohet në mënyrë humane, Russell ka thënë: “Kjo përfshin jo vetëm sigurimin e ushqimit, ilaçeve dhe nevojave themelore për civilët, por edhe sigurimin e kushteve të higjienës dhe shëndetit publik. Të gjitha palët në konflikt duhet të lejojnë kalimin e shpejtë dhe të papenguar të ndihmës humanitare dhe t’u mundësojnë të gjitha agjencive përkatëse të OKB-së të punojnë në dobi të popullsisë lokale”.
Russell thotë se UNICEF-i është ende në terren në Gaza për të ofruar mbështetje për fëmijët.
“Megjithatë, bllokimi i ndihmës dhe më shumë se 18 muaj luftë i kanë çuar fëmijët e Gazës në prag të greminës. Ne përsërisim thirrjen tonë që të hiqet embargoja e ndihmës, të lejohen mallrat tregtare në Gaza, të lirohen të burgosurit dhe të mbrohen të gjithë fëmijët”, ka potencuar Russell.