Foto: AA
Shqipëria është renditur në vendin e 80-të në Indeksin Vjetor të Lirisë së Shtypit, të publikuar nga organizata Reporterët pa Kufij, duke shënuar një përmirësim të ndjeshëm krahasuar me vitin 2024, kur mbante vendin e 99-të.
Sakaq Kosova ka shënuar rënien më të madhe në 15 vitet e fundit në raportin për lirinë e shtypit, duke u renditur në vendin e 99-të nga 180 vende të botës.
Kjo është rënia e dytë radhazi për Kosovën, pas kalimit nga vendi i 56-të në vitin 2023 në atë të 75-të në vitin 2024.
Sipas raportit të publikuar më 2 maj, në prag të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Kosova pozicionohet më dobët se çdo vend tjetër në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në Bashkimin Evropian.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka cilësuar këtë rënie si “alarmante” dhe ka shprehur shqetësimin e thellë për përkeqësimin e klimës mediatike në vend.
Raporti i Reporterëve pa Kufij thekson gjithashtu se në Kosovë, Sllovaki, Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi, mediat po përballen me një krizë ekzistenciale si pasojë e shkurtimeve buxhetore dhe presionit politik.
Raporti thekson se peizazhi mediatik në Shqipëri, ashtu si edhe në Greqi e renditur në vendin e 89-të, karakterizohet nga konflikte të theksuara interesi, që kufizojnë pavarësinë dhe profesionalizmin e medias.
Ndër vendet e tjera të Ballkanit, më mirë është pozicionuar Mali i Zi në vendin e 37-të, i ndjekur nga Maqedonia e Veriut në vendin e 42-të, Bosnje e Hercegovina në të 86-in dhe Serbia në vendin e 96-të.
Gjithashtu, raporti vëren se mediat e pavarura në Evropë dhe Azinë Qendrore po përballen me një krizë ekonomike serioze, e cila është thelluar nga ndërprerja e menjëhershme e ndihmës amerikane dhe rritja e ndikimit të propagandës ruse.