Foto: Presidenca e Shqiperisë
Mbreti i Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, Abdullah II bin Al Hussein, ka realizuar një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërkohë është takuar me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama, transmeton Anadolu.
Presidenti Begaj ka pritur sot me një ceremoni shtetërore në selinë e Presidencës së Shqipërisë mbretin jordanez dhe delegacionin zyrtar që e shoqëronte.
Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se në fokus të takimit ishin “rritja e dialogut politik dhe zgjerimi i marrëdhënieve ekonomike, nxitja e investimeve dhe shkëmbimeve tregtare, vijimi i bashkëpunimit shumëpalësh në nivel ndërkombëtar, mbështetja e Kosovës në arenën ndërkombëtare, qëndrimi i palëkundur i Shqipërisë në dënimin e çdo forme dhune e terrori, si dhe mbështetja e zgjidhjes së situatës në Lindjen e Mesme me dy shtete”.
“Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira dhe miqësore Shqipëri-Jordani, të cilat mbështeten mbi bazat e respektimit të parimeve të sovranitetit, interesit të ndërsjellë, zgjerimit të marrëdhënieve dy dhe shumëpalëshe. Në takim u shpreh vullneti i përbashkët për ta thelluar më tej këtë bashkëpunim përmes forcimit të dialogut politik, shkëmbimit të vizitave, si dhe nëpërmjet plotësimit të kuadrit institucional të bashkëpunimit”, theksohet në njoftim.
Gjithashtu thuhet se pjesë e rëndësishme e takimeve ishin zhvillimet në rajonin e Ballkanit, ku theksohet se Begaj i kërkoi mbretit Abdullah II mbështetjen e Jordanisë ndaj Kosovës për njohje të reja dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.
“Presidenti Begaj theksoi se Shqipëria dhe faktori shqiptar në rajon ka bërë dhe bën përpjekje të vazhdueshme për stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor, pasi e konsideron këtë si të vetmen rrugë për një të ardhme euroatlantike dhe në të mirë të qytetarëve të këtij rajoni”, theksohet më tej.
Presidenti Begaj ka theksuar gjatë takimit se Shqipëria vlerëson rolin kyç të Mbretërisë Hashemite të Jordanisë për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Lindjes së Mesme.
“Kreu i Shtetit rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë, që është i njëjtë me atë të Jordanisë, se e vetmja rrugë për një zgjidhje të drejtë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të konfliktit në Lindjen e Mesme është zgjidhja me dy shtete. Presidenti i Republikës vlerësoi rolin drejtues të Jordanisë dhe Mbretit Adbdullah II, në iniciativën e Procesit të Aqaba-s, si një nismë e suksesshme dhe me rezultate konkrete në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Gjithashtu, kreu i shtetit u shpreh se, si një vend anëtar i NATO-s, Shqipëria ka mbështetur hapjen e zyrës ndërlidhëse të NATO-s në Jordani dhe e vlerëson maksimalisht Jordaninë si vend partner i rëndësishëm në krahun jugor të NATO-s”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, mbreti Abdullah II është pritur në takim në selinë e Kryeministrisë së Shqipërisë edhe nga kryeministri Rama.