RUSIA SULMON SËRISH ODESËN

Nga një sulm me raketa të kryer nga Rusia më 2 maj në qytetin-port të Odesës janë plagosur 14 persona dhe janë shkaktuar dëme në infrastrukturën kritike civile, tha kreu i administratës rajonale ushtarake, Oleh Kiper.

Kiper shkroi në Telegram se nga sulmi në qytetin ukrainas të Odesës, që gjendet në Detin e Zi, u shkaktua zjarr, duke shtuar se depo të një poste lokale janë dëmtuar.

Një ditë më herët, nga sulmet ruse në Odesë u vra një person.

Në ditët e fundit, Rusia ka sulmuar vazhdimisht Odesën, përfshirë më 29 prill, kur përdori raketa Iskandr. Pesë civilë u vranë gjatë atij sulmi dhe 23 të tjerë u plagosën, thanë zyrtarët.

Lajmi për sulmin në Odesë vjen në të njëjtën ditë kur autoritetet lokale në rajonin rus të Smolenskut, raportuan se Ukraina ka sulmuar me dronë këtë rajon.

Rusia tha se nga ky sulm nuk ka viktima, përderisa Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi se ka rrëzuar 12 dronë ukrainas në pesë rajone.

Ukraina, që po përballet me pushtimin që Moska nisi më 2022, nuk ka komentuar për këto pretendime të Rusisë, të cilat nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur.

SHARE