Disa javë pas një stuhie rekord, në Emiratet e Bashkuara Arabe ka patur sërish reshje të dendura shiu në zona të ndryshme. Si pasojë mësimi në shkolla dhe universitete u zhvillua online ndërsa shumë punonjës në biznese të ndryshme u këshilluan të punojnë në distancë.
Autoritetet në Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait konfirmojnë se për shkak të kushteve të motit, pesë fluturime u devijuan gjatë natës dhe shumë fluturime të tjera u anuluan. Moti me shi është i pari që nga stuhia e 16 prillit, e cila preku rëndë trafikun ajror në Dubai ndërsa shumë shtëpi u gjendën nën pushtetin e ujit.
Shirat e dendur janë një problem në këtë vend duke qenë se ka mungesë të infrastrukturës së kullimit për të përballuar një mot të tillë pasi është një vend me klimë të ngrohtë dhe kushte të tilla atmosferike janë të pazakonta.