Receta me të cilën AgroWeb.org ju njeh sot është e shijshme, e shpejtë dhe e lehtë për një drekë apo një darkë peshku.
Ky vakt i shëndetshëm, mund të shoqërohet më së miri me bukë dhe një sallatë me brokoli.
Ndiqni më poshtë recetën dhe mësoni mënyrën e përgatitjes.
Përbërësit
2 speca të kuq
2 qepë të kuqe
250 g domate qershi
Një grusht me ullinj të zinj
680 g salcë domatesh
400 g fasule të gatuara (ose një kanaçe)
4 fileto merluci pa lëkurë
Një tufë e vogël majdanozi ose borziloku
Përgatitja
Fillimisht ngrohni furrën në 200 gradë celsius. Më pas lani e pastroni mirë të gjitha perimet. Prisni në kubikë specat dhe qepët si dhe largoni bërthamat nga ullinjë.
Vendosni specat, qepët, domatet dhe ullinjtë në një tavë të madhe dhe të thellë pjekjeje dhe gatuajini për 15 minuta derisa të fillojnë të zbuten.
Hidhni më pas salcën, fasulet dhe erëza sipas dëshirës dhe krijoni hapësirën e nevojshme për të vënë edhe peshkun.
Kthejeni tavën në furrë dhe gatuajeni edhe për 15 minuta të tjera derisa merluci të jetë pjekur. Në fund spërkasni sipër majdanozin. /AgroWeb.org