Shkurtimi i orarit të punës nga 40 në 35 orë do të jetë reforma e parë që do t’i propozohet Këshillit Social menjëherë pas formimit të Qeverisë së re, pas zgjedhjeve, njoftoi Lëvizja Evropa Tani.
“Evropa Tani 2.0 propozon shkurtimin e orarit të punës me kohë të plotë nga 40 orë në 35 orë në javë. Pas zbatimit të suksesshëm të programit Evropa Tani 1.0 dhe ngritjes së standardit të jetesës së qytetarëve, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të cilësisë së jetës së punëtorëve, Evropa Tani 2.0 propozon vendosjen e orarit të punës shtatë-orëshe”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Evropa Tani.
Ata deklarojnë se të dhënat u tregojnë se punonjësit në Mal të Zi kanë një nga javët më të gjata të punës në Evropë, mbi 42 orë mesatarisht, që, siç shtojnë ata, është më shumë se mesatarja e vendeve të BE-së deri në 6 orë në javë.
Ata vënë në dukje se studime të shumta, kërkime dhe aplikime provash të modelit në praktikë tregojnë përfitimet shumëdimensionale të zbatimit të orarit të reduktuar të punës, që kanë të bëjnë kryesisht me vendosjen e një ekuilibri midis punës dhe jetës private, një ndikim pozitiv në shëndetin individual të njerëzve dhe në fund të uljes së kostove të shëndetit publik, rritjes së produktivitetit dhe efikasitetit, por edhe rritjes së fitimeve të punëdhënësve.
Milojko Spajiq, kryetar i Lëvizjes Evropa Tani, tha se duke reduktuar orët e punës me orar të plotë nga 40 në 35 orë, pra në shtatë orë punë, askush nuk do të dëmtohet.
Ai njoftoi se ky propozim do të jetë pjesë e programit “Evropa Tani 2.0”.
“Përkundrazi, do të ketë ndikim pozitiv tek punonjësit, punëdhënësit dhe shteti. Reforma e detajuar do të prezantohet së shpejti”, ka shkruar Spajiq në Twitter.