Partitë kryesore në Kosovë ende nuk kanë arritur marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri, ndonëse ka nisur afati 34-ditor i vendosur nga Gjykata Kushtetuese.
Nëse nuk arrihet marrëveshje deri më 28 prill, vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Mandati i presidentes aktuale, Vjosa Osmani përfundon më 4 prill.
Deri tani nuk ka pasur takime publike mes partive për të gjetur një zgjidhje, ndërsa opozita (PDK dhe LDK) deklaron se nuk ka marrë ftesë zyrtare për bisedime nga kryeministri Albin Kurti.
Partia në pushtet ka paralajmëruar se do të zhvillojë konsultime me liderët politikë, por pa dhënë afat konkret.
Ndërkohë, ekspertët politikë theksojnë nevojën për kompromis dhe sugjerojnë që kandidaturat aktuale të rishikohen për të hapur rrugë negociatave.
Zgjedhja e presidentit kërkon shumicë të cilësuar në Kuvend dhe pjesëmarrjen e të paktën 80 deputetëve, gjë që e bën procesin të vështirë pa konsensus mes partive.
Nëse procesi dështon, detyrën e presidentit përkohësisht do ta ushtrojë kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, për një periudhë të kufizuar deri në gjashtë muaj.









